Banorët e Kaninës në protestë: “Gener 2” po na izolon, s’kemi ku kalojmë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.05.2025, 14:03

Banorët e fshatit Kaninë kanë dalë sërish në protestë kundër kompanisë “GENER 2”, që po ndërton bypass-in e Vlorës.

Sipas tyre është nënkalimi i projektuar nga kjo kompani ka lartësi të ulët dhe izolon 150 familje nga pronat bujqësore dhe ullishtet.

“Nuk hyjmë dot në prona. Duhet të bëjmë rrugë të tëra për të shkuar atje ku më parë shkonim për pak minuta,” u shpreh një banor i zonës.

Protestuesit theksojnë se nënkalimi aktual nuk lejon qasje për mjetet emergjente, si ambulanca dhe zjarrfikëse, çka rrit rrezikun në raste urgjencash. Janë 150 familje që jetesën e tyre e kanë të lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë që kërkojnë zgjidhje nga kompania ndërtuese por dhe ARRSH-ja që ka dhënë tenderin për bypass-in.

Bareq Sadiraj, kryeplaku i fshatit, shprehu shqetësimin se kjo zgjidhje nuk është funksionale dhe nuk merr parasysh asnjë perspektivë zhvillimi për zonën.

“Kemi kërkuar informacion nga institucionet, por asnjë përgjigje. Mungon vullneti për të rishikuar projektin dhe për të bërë një studim të ri,” tha ai.

Banorët pretendojnë se nuk janë konsultuar gjatë projektimit të rrugës dhe e cilësojnë këtë mungesë transparence si një tjetër shkelje të të drejtave të tyre. Ata paralajmërojnë protesta më të forta në ditët në vijim, nëse nuk merren masa konkrete.

Ndërkohë, Bypass-i i Vlorës, me gjatësi 29 km dhe vlerë mbi 56 milionë euro, u hap për qarkullim dy javë më parë, pas problemeve të mëparshme me rrëshqitjet e dherave. Por pavarësisht përparimit të punimeve, banorët mbeten skeptikë për cilësinë dhe përfundimin sipas standardeve të këtij projekti strategjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit