Prokurori që do hetojë helmimin me salmonelë të fëmijëve të kopshit në Gramsh është vëllai i kryebashkiakut

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 27.05.2025, 13:07

Ngjarja e rëndë e helmimit të fëmijëve në kopshtin publik nr. 1 në Gramsh e bërë publike ekskluzivisht pas denoncimeve në JOQ Albania e më pas e konfirmuar nga ISHP ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve shtetërore.

Në një vend ku siguria e fëmijëve duhet të ishte përparësi, rrezikimi i jetëve të tyre kërkon përgjegjësi të menjëhershme dhe veprime të qarta ligjore. Por në vend të përgjegjshmërisë, rasti po merr trajtën e një skenari të njohur: minimizim të problemit dhe mbyllje në heshtje.

Ajo që e rëndon më tej situatën është fakti se hetimin e kësaj ngjarjeje e ka marrë përsipër Prokuroria e Elbasanit, ku kryeprokuror është Kreshnik Ajazi, ironikisht vëllai i kryetarit të Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi. Ky fakt përbën një konflikt të qartë interesi dhe ka ngjallur dyshime të forta për ndërhyrje në procesin hetimor.

Në një deklaratë publike, kreu i bashkisë tentoi të minimizojë situatën, duke e cilësuar si disa “raste të izoluara” të fëmijëve që janë paraqitur në spital me simptoma të dyshimta. Ai mohoi çdo helmim masiv dhe theksoi se analizat ende nuk janë përfunduar. Por kjo qasje zyrtare po shihet nga opinioni publik si përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.

Në vend që të merreshin masa të menjëhershme për të zbardhur shkaqet dhe për të garantuar sigurinë e fëmijëve në institucionet publike, situata rrezikon të mbyllet në mënyrë të paracaktuar, përmes një sistemi drejtësie që në këtë rast, sipas kritikëve, po përdoret si mburojë për të mbrojtur pushtetin vendor.

Rasti i Gramshit po shihet si një provë e rëndësishme për integritetin e institucioneve dhe për gatishmërinë e drejtësisë për të hetuar paanshmërisht edhe kur përballë ka njerëz me pushtet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit