Gjermania ka dhënë miratimin që raketat e NATO-s të përdoren për të goditur objektiva në brendësi të territorit rus, pas sulmit më të madh ajror të Moskës ndaj Ukrainës që nga nisja e luftës.
Kancelari Friedrich Merz deklaroi se nuk ka më kufizime në distancën e armëve të dërguara në Ukrainë, as nga Gjermania, as nga SHBA, Britania apo Franca.
Ukraina tashmë mund të godasë objektiva ushtarake brenda Rusisë. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ndërmarrë veprime ndaj Vladimir Putinit, duke thënë se ky i fundit ka gënjyer për gatishmërinë për paqe.
“Trump më në fund e kuptoi që Putin nuk kërkon paqe. Ai ka gënjyer vazhdimisht,” tha Macron.
Trump, nga ana tjetër, ka reaguar në rrjetin e tij “Truth Social” me tone të forta: “Putin është çmendur! E do të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj!”
Në të njëjtën kohë, Rusia vazhdon sulmet brutale ndaj Ukrainës, me qindra dronë dhe raketa në vetëm 48 orë. Ukraina e quajti këtë sulmin më të madh ajror që nga nisja e luftës në 2022.
Putin ndërkohë ka refuzuar edhe ofertën për bisedime në Vatikan, ku sipas Trump, Papa ishte i gatshëm të ndërmjetësonte. Por Rusia e ka hedhur poshtë idenë, duke thënë se do të ishte “jo e udhës” që Kisha Katolike të ndërhynte në një konflikt mes dy vendeve me shumicë ortodokse.
Merz deklaroi se Putini e sheh çdo përpjekje për paqe si shenjë dobësie, ndaj perëndimi duhet të përgatitet për një luftë më të gjatë sesa ishte imagjinuar.