Një banor i fshatit Nepravishtë, në Libohovë të Gjirokastrës, ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë alarmante që rrezikon seriozisht shëndetin e banorëve.
Sipas denoncuesit, depot që furnizojnë me ujë të pijshëm fshatin janë në gjendje të mjerueshme, me higjienë thuajse zero dhe siguri fare të munguar. Ai shprehet se çdokush mund të hapë kapakun e depos dhe të hedhë diçka brenda.
Për më tepër, pranë depos ndodhet një pellg me ujë të ndotur, ku dëgjohen madje edhe bretkosa dhe nëpër të kalojnë tubat që çojnë ujin në shtëpitë e banorëve. Kjo krijon një mjedis ideal për zhvillimin e baktereve të rrezikshme, të cilat mund të përhapen në ujin e pijshëm dhe mund të shkaktojnë sëmundje të rënda.
Kjo mund të konsiderohet si një "bombë biologjike" për banorët e Nepravishtes, por edhe për turistët e huaj që vizitojnë këtë zonë me histori dhe natyrë të bukur.
Autoritetet përkatëse duhet të reagojnë urgjentisht për të eleminuar këtë rrezik dhe për të garantuar ujë të pastër dhe të sigurt për qytetarët.