Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka deklaruar se është i gatshëm të garojë për drejtimin e PD-së, por vetëm në rast se Sali Berisha tërhiqet nga posti i kryetarit. Gjatë një interviste, Sula e bëri të qartë se nuk do të jetë më pjesë e PD-së nëse drejtimin e saj vazhdojnë ta mbajnë figura si Berisha, Flamur Noka apo Albana Vokshi.
“Nëse Sali Berisha jep dorëheqjen nga kryetari i PD, jam alternativë për të kandiduar. Nëse në PD janë Sali Berisha, Flamur Noka e Albana Vokshi, unë nuk e shkel më atë prag. Nëse këta persona rrinë në Partinë Demokratike, PD do të zhbëhet,” tha Sula, duke theksuar se me këtë drejtim, partia është në rrezik të zhduket.
Deputeti demokrat, i cili nuk u përfshi në listat e kandidatëve të PD-së më 11 maj, shtoi se nuk e përjashton mundësinë për të nisur një projekt të ri politik. Ai përmendi mundësinë e krijimit të një poli të tretë në skenën politike shqiptare, duke e konsideruar këtë një mënyrë për të kontribuar përtej strukturave aktuale të PD-së.
“Do doja të jap kontribut, ndoshta për krijimin e një poli të tretë,” u shpreh ai.