Presidenti francez Emanuel Makron është përpjekur të zhdramatizojë videon ku gruaja e tij, Brixhit Makron e godet në fytyrë kur mbërrijnë në Vietnam, pak para se ai të zbresë nga avioni presidencial të dielën në mbrëmje, gjë që ka shkaktuar reagime negative në mediet sociale pas fillimit të turneut të çiftit në Azinë Juglindore.
Makron bën një hap prapa, i habitur, pastaj mbledh veten dhe përshëndet nga kamerat në pistë. Ndërkohë, Brixhit qëndron për një çast pas derës së avionit, duke shmangur shfaqjen menjëherë para kamerave.
Çifti, i martuar që nga viti 2007, përfundimisht zbriti shkallët e avionit së bashku, me Brixhit që shmangte mbajtjen e dorës së Makron.
Kur u pyet për incidentin, Emanuel Makron u përpoq ta portretizonte si incident të pafajshëm midis bashkëshortëve.
“Ndoshta po bënim shaka, siç bëj shpesh me gruan time, dhe papritmas kjo video u paraqit si një katastrofë globale”, tha ai. “Në botën ku jetojmë, nuk kemi kohë të merremi me gjëra të tilla”, shtoi ai.
Ai mohoi se kishte pasur ndonjë “skenë familjare” dhe foli për reagime të ekzagjeruara: “E gjithë kjo është paksa absurde. Njerëzit po thonë shumë budallallëqe. Të gjithë duhet të relaksohen.”
Makron theksoi se kjo nuk është hera e parë që përmbajtja e videos në të cilën ai shfaqet është keqinterpretuar, duke iu referuar skenave të mëparshme nga udhëtimi i tij me Friedrich Merz dhe Keir Starmer me tren për në Kiev, të cilat u komentuan gjithashtu gjerësisht në media.