Çmimet e barnave në vendin tonë po njohin një rritje të pajustifikueshme, duke rënduar çdo herë e më shumë xhepat e qytetarëve.
Shpesh këto çmime nuk janë në proporcion të drejtë me vendet e rajonit, pasi në raste të caktuara, rezulton se në Shqipëri ilaçet kushtojnë gati 2.5 herë më shtrenjtë se në vendet fqinje.
Për të denoncuar një rast të ngjashëm, një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, ku bën krahasimin e ilaçit “Sinusol”, që në Shqipëri ai e ka blerë 1 080 lekë, ndërsa në Serbi i njëjti medikament kushton 400 lekë.
Ai shkruan: “JOQ përshëndetje. Doja të bëja një denoncim nëse është e mundur, në lidhje me çmimet e ilaçeve në farmacitë në Tiranë. Sapo bleva këtë produktin sot, i cili kushton 1080 lek, por çmimi i saj aktual në serbi me lek shqiptare ishte diku tek 400 lekë. Kjo është çmenduri, një diferencë totalisht e lartë dhe e tmerrshme.”
Ilaçi ‘Sinusol’ është një produkt që përdoret për trajtimin e problemeve të rrugëve të frymëmarrjes, dhe ajo që vihet re nga ky denoncim, është çmimi tejet i kripur që shqiptarët janë të detyruar të paguajnë për të. Plot 680 lekë më shumë se në Serbi!
Por pse shqiptarët paguajnë kaq shumë?
Aktualisht çmimet e barnave në Shqipëri vendosen nga vetë tregtuesit, që do të thotë se importuesit dhe farmacitë kanë liri të plotë për të vendosur çmime që shpesh janë dhe abuzive. Gjendur përballë kësaj situate, ata që e pësojnë në fund janë qytetarët, të cilët paguajnë më shumë se sa pacientët e vendeve fqinje.
Për të pasur një çmim të drejtë dhe jo abuzues me konsumatorin, institucione si Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave duhet të marrin masa që konsistojnë në rregullimin e tregut farmaceutik, ku fokus të jetë mbrojtja e shëndetit publik dhe jo interesi financiar.
Kjo situatë është thellësisht e padrejtë për qytetarët, të cilët detyrohen të paguajnë barnat disa-fish më shtrenjtë se fqinjët. Prandaj reagimi i menjëhershëm i institucioneve përkatëse për caktimin e çmimit ‘Tavan’ dhe ‘Dysheme’ për barnat duket diçka e domosdoshme.
Ky denoncim nuk duhet të kalojë me heshtje dhe të jetë vetëm një lajm i radhës, por kërkon reagim institucional për të ndaluar abuzimet.
Në Shqipëri!
Në Serbi!