Etapa e parë e Turit Çiklistik të Shqipërisë ka shkaktuar kaos në disa akse rrugore të vendit, duke zënë të papërgatitur qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Mungesa e informimit ka shkaktuar bllokime të shumta në qarkullim, që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Në Tiranë, problemet u shfaqën në zonën e Rrugës së Durrësit, ndërsa më pas trafiku u rëndua ndjeshëm në autostradën Kashar–Thumanë, ku qindra automjete u përballën me vonesa të konsiderueshme. Kaosi nuk u kufizua vetëm në kryeqytet.
Në segmentin Milot–Rrëshen, shumë drejtues mjetesh janë detyruar të kthehen pas, pasi rruga ishte plotësisht e bllokuar. Qytetarët shprehen të irrituar nga mungesa e informacionit dhe komunikimit nga autoritetet. Sipas tyre, policia rrugore nuk dha asnjë shpjegim për bllokimin, përveç ndalimit të kalimit.
"Po ndodh ne Milot të ndalojne dhe nuk të jep shpjegim njeri se për çfarë, në pikë të diellit jemi. Ky është shteti që duam", u shpreh një drejtues mjeti i bllokuar në aksin Milot–Rrëshen.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për organizimin e ngjarjeve sportive pasi më herët, nga data 9 deri më 11 maj, në Shqipëri u zhvilluan edhe tre etapa të “Giro d’Italia” dhe bllokimi i rrugëve shkaktoi kaos të madh.