Tabloidi prestigjioz britanik DailyMail i ka kushtuar një artikull rrëfimit të një mafiozi shqiptar, i cili pretendon se policia britanike nuk do të mundet kurrë të ndalojë rrjetet shqiptare të trafikimit të kokainës në Britani.
Duke folur në mënyrë anonime, krimineli shqiptar tregoi një nga arsyet kyçe pse këto grupe kriminale funksionojnë vazhdimisht, edhe pas arrestimeve dhe goditjeve nga autoritetet britanike. Sipas tij, gjithçka lidhet me një praktikë të quajtur “shitja e punës”, nëse një anëtar i bandës arrestohet dhe policia nuk arrin t’i marrë telefonin, bashkëpunëtorët e tij mund ta shesin atë telefon me kontaktet për deri në 100 mijë paund, duke ia kaluar aktivitetin një grupi tjetër.
Prej vitesh, bandat shqiptare janë bërë lojtarë të fuqishëm në tregtinë e kokainës në Evropë, veçanërisht në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. Në fund të viteve 2000 ato hynë në tregun britanik me moton: “shesim lirë, shesim më shumë”.
Pavarësisht se qindra shqiptarë janë arrestuar dhe dënuar për trafik droge në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë figura të njohura të mafias ballkanike, rrjetet duket se zëvendësohen me shpejtësi sapo një goditet nga autoritetet.
NCA (Agjencia Kombëtare e Krimeve) dhe Scotland Yard kanë paralajmëruar për vite me radhë për rrezikun e madh që paraqesin këto grupe, të njohura për disiplinën, profesionalizmin dhe brutalitetin e tyre në eliminimin e konkurrencës.
Një tjetër shqetësim i madh për autoritetet britanike është rrjedhja e parave drejt Shqipërisë. Sipas NCA, qindra miliona paund dalin çdo vit nga Britania drejt Shqipërisë përmes mjeteve të ndryshme, përfshirë para fizike, këmbime valutore dhe madje edhe investime në ndërtim apo kriptovaluta.
Në fund të vitit 2024, shqiptarët përbënin 10.6% të të burgosurve të huaj në Angli dhe Uells, përqindja më e lartë nga çdo kombësi tjetër. Ndërkohë, vetëm në vitin 2022, 12,685 shqiptarë mbërritën në Britani me gomone, çka ndihmoi në rritjen e pranisë së tyre në rrjetet kriminale.