Turku shet akullore tek hotel Bizanti që iu vu tritoli

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.05.2025, 21:04

Më 13 shkurt 2023 një shpërthim i fuqishëm me tritol ka tronditur mëngjesin e qytetit bregdetar të Sarandës, duke shkatërruar plotësisht një hotel buzë detit në lagjen nr. 1, në qendër të qytetit. Fatmirësisht, nuk u raportua për persona të lënduar, por veç dëmet materiale të konsiderueshme pasi valët goditëse dëmtuan edhe banesa dhe ndërtesa përreth.

Hoteli “Bizanti”, një objekt dykatësh që funksiononte vetëm gjatë sezonit turistik, u rrafshuar tërësisht nga sasia e madhe e lëndës plasëse, duke lënë pas vetëm rrënoja betoni. Shpërthimi ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe u dëgjua në një rreze të gjerë, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët e përshkruan ngjarjen si “të ngjashme me një akt terrorist”.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se objekti i shkatërruar ishte objekt i një konflikti gjyqësor për pronësinë mes dy ortakëve: Spiro Çabirit dhe Dhimitër Evangjeliut. Prej kohësh, çështja e pronësisë së hotelit ishte në proces gjyqësor, ndërsa ende nuk ka informacione zyrtare mbi autorët apo motivet konkrete të sulmit me tritol.

Sot në mes të bulevardit kryesor të Sarandës, në një nga zonat më turistike të qytetit, denoncohet se është ngritur në mënyrë të paligjshme një aktivitet ambulant shitjeje, i cili nuk rezulton i regjistruar në asnjë institucion zyrtar.

Pika ambulante e shitjes së akullores operon pa NIPT, pa fatura tatimore, pa licencë dhe pa plotësuar asnjë nga kushtet higjieno-sanitare të përcaktuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Aq më shqetësues është fakti se ky aktivitet punëson shtetas të huaj të cilët nuk figurojnë në asnjë regjistër të autoriteteve shqiptare dhe nuk posedojnë leje qëndrimi apo viza pune, duke shtuar dyshimet për shkelje të rënda të ligjit për të huajt dhe punësimin informal.

Por skandali thellohet akoma më shumë: ky aktivitet i paligjshëm është ngritur në pronën që ndodhet nën sekuestro preventive nga Prokuroria prej më shumë se dy vitesh, pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi qytetin dhe shkaktoi dëme kolosale materiale.

Burime nga denoncuesit bëjnë me dije se prona është ende pjesë e një çështjeje të hapur penale, e megjithatë është duke u përdorur për qëllime tregtare nga subjekte që nuk figurojnë askund në sistemet tatimore apo ligjore të shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit