Festa familjare përfundon në tragjedi, 3 shqiptarë të vdekur e 6 të plagosur nga aksidenti tragjik në Gjermani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.05.2025, 20:33

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës pranë qytetit Koblenz në Gjermani, ku tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Sipas autoriteteve gjermane, ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 në autostradën A48, në zonën Bassenheim, drejt Trierit. Një minibus me nëntë persona doli nga rruga për arsye ende të paqarta dhe u përmbys disa herë. Fatkeqësisht, tre persona, një burrë 53-vjeç dhe dy gra 47 dhe 65-vjeçe, humbën jetën në vend.

Gjashtë të tjerët, të moshave nga 20 deri në 66-vjeç, mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Identitetet e viktimave dhe të plagosurve nuk janë bërë të ditura.

Policia gjermane ka konfirmuar se drejtuesi i automjetit, një 22-vjeçar, nuk rezulton të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogave. Ata po ktheheshin nga një festë familjare në Hessen.

Autostrada u mbyll plotësisht deri në orën 07:45, ndërsa në vendngjarje ndodheshin dhjetëra forca policie, ekipe emergjence, zjarrfikës dhe katër psikologë të emergjencës për të ndihmuar të mbijetuarit.

Hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit janë ende në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit