“Nelsa ShPK”, kompania me të shkuar kriminale që helmoi fëmijët në Gramsh

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 25.05.2025, 17:29

Kompania private “Nelsa ShPK” është vendosur në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Elbasanit, si e dyshuara kryesore për helmimin masiv të fëmijëve në kopshtin e qytetit të Gramshit.

Bashkia Gramsh kishte kontraktuar këtë subjekt për të furnizuar me ushqime çerdhet, kopshtet dhe konviktet e shkollës së mesme. Dyshohet se ushqimet e shpërndara së fundmi kanë qenë të prishura, duke çuar në një situatë alarmante shëndetësore: dhjetëra fëmijë janë paraqitur me simptoma helmimi, si diarre dhe dhimbje barku.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Nelsa ShPK” e fitoi tenderin në vitin 2023, por procedura është shënuar me “flamur të kuq”, për shkak të dyshimeve mbi skualifikimin e operatorëve të tjerë me oferta më të ulëta.

Megjithatë, “Nelsa” nuk është e panjohur në fushën e fitimit të kontratave me para publike. Kompania ka qenë prej vitesh aktive në tendera me institucione të ndryshme shtetërore, përfshirë spitale dhe burgje. Herë pas here tenderat e fituar nga kjo kompani janë shënuar me flamur të kuq, duke paraqitur dyshime serioze për skualifikim të padrejtë të pjesëmarrëve.

Aktualisht, “Nelsa ShPK” rezulton e regjistruar në emrin e Elsa Kamberit (Balla), vajza e themeluesit të kompanisë, Nexhmi Balla. Ky i fundit është përballur më parë me drejtësinë, pasi në vitin 2016 u arrestua për korrupsion, duke u akuzuar për manipulimin e tenderave të ushqimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Pas ngjarjes, për të siguruar vijimësinë e aktivitetit, ai ia kaloi pronësinë ligjore të kompanisë vajzës së tij, e cila e zotëron ende sot.

Situata e fundit me fëmijët e vegjël në Gramsh ka kthyer edhe një herë tjetër vëmendjen te siguria e ushqimeve që konsumojnë qytetarët. Prindërit e fëmijëve kanë paralajmëruar një protestë të hënën, ku do të bëjnë thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi.

Gramshi

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit