Një ditë pasi JOQ ALBANIA dha alarmin për helmimi në Kopshtin Nr.1 të Gramshit, policia ka reaguar zyrtarisht, duke konfirmuar se çështja është nën hetim.
Më 24 maj, gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me simptoma që ngjajnë me helmim ushqimor. Dyshimet paraprake janë për infeksion nga salmonela, e mundshme përmes ushqimit të servirur në institucionin parashkollor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh kanë referuar materialet në Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa janë sekuestruar kartelat mjekësore të fëmijëve, dokumentacioni mbi furnizimet ushqimore dhe janë marrë mostra nga ushqimet për analizë laboratorike. Produktet e mbetura në kuzhinë janë bllokuar.
Nën hetim është gjithë zinxhiri i furnizimit, kushtet e ruajtjes së ushqimit dhe higjiena në kuzhinën e institucionit.
Ndërkohë, prindërit e fëmijëve të prekur kërkojnë përgjigje për pyetjen që i shqetëson më shumë: Si është e mundur që në një institucion publik për fëmijë, të dështojnë standardet bazë të sigurisë ushqimore? Hetimet vijojnë.