Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur qytetin e Beratit në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele. Eksplozivi është vendosur në derën e një lokali në pronësi të Sali Fetiu, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Lokali ndodhet jashtë funksionit prej rreth dy vitesh, çka ka shtyrë hetuesit të përjashtojnë pistën e një konflikti për arsye biznesi. Dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me probleme personale ose hakmarrje, pasi dy djemtë e pronarit, janë në kërkim nga policia.
Ata akuzohen për përfshirje në një plagosje me thikë më 24 mars të këtij viti, ku në një lokal në lagjen “Çelepias” kanë goditur me thikë 85-vjeçarin Todi Biçaku. Ngjarja u trajtua si një konflikt i çastit pas një debati verbal, ku Biçaku ndërhyri për të qetësuar situatën dhe përfundoi i plagosur.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të shpërthimit.