Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur i biri i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Me një karrierë që shtrihet në dekada, Piro Milkani ka lënë një trashëgimi të pasur artistike, duke realizuar mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë. Ndër veprat më të njohura të tij janë filmat “Kur zbardhi një ditë”, “Zonja nga qyteti”, “Ballë për ballë”, “Militanti” dhe “Ngjyrat e moshës”, të cilët kanë mbetur të paharrueshëm për breza të tërë shqiptarësh.
Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në regji. Ai kontribuoi gjithashtu si skenarist, operator dhe producent, duke u bërë një emër i gjithanshëm në industrinë shqiptare të filmit.
Ceremonia e varrimit të regjisorit do të zhvillohet sot, më 25 maj, në varrezat e Sharrës në Tiranë, ku familja, miqtë dhe artdashësit do t’i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit të ekranit shqiptar.
Pushoftë në paqe!