Një ngjarje skandaloze është denoncuar mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania, ku sipas një qytetareje, një incident i papranueshëm ka ndodhur në linjën e urbanit Qendër–TEG, rreth orës 19:00, pranë xhamisë së Saukut të Ri.
Sipas dëshmisë së saj, fatorinoja ka ofenduar rëndë një grua që udhëtonte me djalin e saj, pasi fëmijës i ishte zënë këmba nga dera e autobusit. Një grua e moshuar tentoi ta filmonte me telefon për ta denoncuar sjelljen e tij të papranueshme, por situata degradoi me shpejtësi.
Fatorinoja jo vetëm që nuk ndaloi së ofenduari, por i morri me forcë telefonin nga duart gruas së moshuar, duke refuzuar t'ia kthente. Sipas denoncueses, ngjarja agravoi në dhunë fizike, ku qytetarja pretendon se u godit dhe u pështy në fytyrë nga fatorinoja, ndërsa të pranishmit ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Në videon e siguruar nga qytetarët shfaqet momenti kur fatorinoja i merr telefonin zonjës së moshuar dhe më pas kur ai ka zbritur nga autobusi dhe refuzon t’i kthejë telefonin qytetares, ndërsa rreth tij janë mbledhur disa burra që përpiqen ta qetësojnë.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje JOQ, dua të tregoj për një rast të tmerrshëm që ndodhi sot në autobusin Qendër–TEG. Fatorinoja ishte duke sharë një grua me fëmijën e saj të cilës i ishte kapur këmba nga dera e autobusit, dhe një e moshuar që u ankua për sjelljen e tij u ofendua rëndë me fjalor banal. Zonja donte t’i bënte video fatorinos dhe ai, me forcë, i mori telefonin. Situata u agravua shumë, kaloi edhe në dhunë fizike. Fatorinoja nuk pranonte t’ia kthente telefonin. Qëndruam gjysmë ore në pritje të kontrollit dhe policisë që u njoftuan nga pasagjerët. Në video tregohet momenti kur ai kishte dalë nga autobusi dhe nuk pranonte të kthente telefonin. Jemi shumë të shqetësuara, kjo mund t’i ndodhte nënës së kujtdo. Ofendoi fillimisht një qytetare bashkë me djalin e saj. Zonja e moshuar po i bënte video për ta denoncuar. Gjithashtu fatorinoja po e godiste dhe po e pështynte në fytyrë.”
Ngjarja ka tronditur qytetarët e pranishëm, sidomos për faktin që ndodhi në prani të një fëmije të mitur.