Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena, ka konfirmuar se në spital janë paraqitur tre fëmijë me probleme shëndetësore pas dyshimeve për helmim nga ushqimi në një kopsht shtetëror në Gramsh. Njëri prej fëmijëve kishte simptoma më të rënda si temperaturë e lartë, diarre dhe të vjella, ndërsa dy të tjerët kishin simptoma më të lehta.
Pas analizave laboratorike, te të tre fëmijët është konfirmuar prezenca e bakterit salmonelë. Fëmijët ishin frekuentues të të njëjtit kopsht, çka përforcon dyshimet për burimin e infeksionit të ardhur nga ushqimi i konsumuar aty.
Drejtoresha Lena njoftoi se menjëherë pas rasteve të para është kryer dezinfektimi i ambientit të kopshtit. Aktualisht situata paraqitet e stabilizuar dhe deri më tani nuk janë paraqitur raste të reja në spital me simptoma të ngjashme.
“Fillimisht në urgjencë është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjiena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë.
Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele.
U krye menjëherë dezinfektimi i ambjenteve të kopshtit dhe në vijim të paktën në spital nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma”– thotë drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena.