Autoritetet serbe kanë lëshuar një fletarrestim për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident të ndodhur më 23 maj në Mitrovicën e Veriut, ku një maturant serb dyshohet se është ndaluar nga një polic i Kosovës gjatë festimeve të maturës.
Lajmin e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se “polici i Kosovës, Dylot Brahimi, do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për autoritetet serbe”. Ai theksoi se nuk do të ketë parashkrim për këtë veprim.
Incidenti ndodhi në qendër të Mitrovicës së Veriut, gjatë një parade të maturantëve serbë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një maturant duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga brenda saj një qytetar dyshohet se po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore, që përfaqëson flamurin kombëtar shqiptar.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e mbrojti reagimin e policit, duke thënë se ai veproi “në mënyrë profesionale” për të parandaluar përshkallëzimin e situatës pas brohoritjeve nacionaliste dhe provokimeve, si “Kosova është zemra e Serbisë”, të bërtitura nga disa maturantë.