Një çift shqiptar ka rënë në pranga në Firence pas një operacioni të policisë italiane që çoi në sekuestrimin e 23 kilogramëve kokainë të pastër. Të arrestuarit janë një burrë 38 vjeç dhe partnerja e tij 25 vjeçare, të dy të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
Operacioni u zhvillua në zonën “Greve in Chianti”, ku policia kishte vënë në përgjim apartamentin e të riut në rrugën “Via Zani”. Ai u pa teksa dilte nga banesa me një çantë të zezë dhe e vendoste në bagazhin e makinës. Policia ndërhyri dhe gjeti brenda çantës gjashtë pako me kokainë, të mbështjella me plastikë blu dhe të shënuara me kodin “357” – i dyshuar si simbol i grupit kriminal.
Ndërkohë, në skenë mbërriti edhe e dashura e tij, e cila tentoi të largohej me nxitim, por u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër. Në banesë, agjentët gjetën edhe 14 pako të tjera me kokainë dhe një shumë prej 11,450 eurosh.
Të dy ndodhen në burgun e Sollicciano-s, në pritje të vendimit të gjykatës për masën e sigurisë.