Një tjetër hetim është hapur në Bashkinë e Tiranës, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka autorizuar kontrolle në zyrat e dy drejtorëve të institucionit.
Mbrëmjen e djeshme, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në ambientet e Drejtorisë së Pastrim-Gjelbërimit dhe Punëve Publike, ku sipas burimeve mediatike janë sekuestruar dokumente dhe 5 aparate celularë, me qëllim zbardhjen e një çështjeje që lidhet me dyshime për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”.
Hetimi nuk ka lidhje me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, por përbën një çështje të re penale që po ndiqet nga SPAK.
Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve, Bashkia e Tiranës mohon zyrtarisht që të jenë kryer kontrolle në ambientet e saj.
Detajet e hetimit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që analizimi i celularëve të sekuestruar dhe dokumentacionit të hedhë më shumë dritë mbi aferën e dyshuar.