Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kopshtin publik nr. 1 në qytetin e Gramshit, ku dhjetëra fëmijë kanë përfunduar në spital me simptoma helmimi. Deri më tani, analizat kanë konfirmuar praninë e bakterit salmonelë tek 30 prej tyre.
Sipas burimeve nga JOQ Albania, të premten e shkuar fëmijët kanë konsumuar supë pule, pas së cilës shumë prej tyre filluan të shfaqnin shenja të forta të helmimit. Prindërit i kanë dërguar në spital për të kryer analizat, dhe përgjigjja ishte shokuese: Të vegjlit rezultojnë të infektuar me bakterin e salmonelës.
Prindërit thonë se fëmijët kanë konsumuar supë me mish pule, e cila dyshohet të jetë dhe burimi i infektimit.
Ky rast ngre sërish alarmin për sigurinë ushqimore në institucionet publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, grupin më të ndjeshëm dhe të pambrojtur të shoqërisë.
Vetëm dy muaj më parë, në shqipëri u denoncua një tjetër skandal i ngjashëm, kur u zbulua se kompania “Di Mal” e Arben Goxhës kishte tregtuar 18 ton fileto pule të kontaminuar me salmonelë. Goxha u shpall në kërkim dhe ende nuk është kapur, ndërsa ka dyshime se mishi i infektuar vazhdon të qarkullojë në treg.
Pritet një reagim nga institucionet përgjegjëse, për të zbuluar se çfarë i helmoi vogëlushët e Gramshit.
Denoncimi i parë
“Përshëndetje JOQ. Unë që po ju shkruaj jam një prind i një fëmije 3-vjeç që analizat me kanë nxjerrë me samonelë. Kopshti ku djali është nuk mban përgjegjësi. Është kopsht shtetëror dhe janë sëmurur të 70 fëmijët që janë aty, po e mbajnë të fshehtë. Kopshti nr 1 në Gramsh.
Po ju çoj analizat e djalit tim dhe dorën me vigon. Edhe pas daljes në lajme për pulat me salomenë, është përdorur sërish për gatim.
Bëhet fjalë për 70 fëmijë, por deri tani kanë dalë përgjigjet për 30 fëmijë me salmonelë. Kopshti nr 1 është me drekë, kanë ngrënë supë pule. Të premten e parë kanë konsumuar sumë, dje kanë dalë përgjigjet e analizave. Djali ka që të hënën me shenja vjedhje, një javë sëmurë.”
Denoncimi i dytë:
“Pershendetje JOQ Dua te bej nje denoncim. Ne qytetin e Gramshit, femijet e kopshtit nr1 jane infektuar me salmonele pasi jane ushqyer me pula te cilat para pak kohesh u denoncua se ishin me salmonele. Autoritet perkatese nuk kan asnje reagim dhe spitali eshte plote me femijet e atij kopshti me simptoma si bark me gjak, te vjella dhe temp te larte. Ju do tju lutesha ta benit publik rastin Anonim ju lutem. Kam nipin me vigon ne dore. Ja edhe analiza”