Tregtarët e fruta–perimeve, të cilët prej vitesh shisnin në trotuarin pranë stacionit të trenit në Tiranë, janë dëbuar nga vendi i tyre i zakonshëm i punës për shkak të ndërtimit të pallateve në atë zonë. Ata janë zhvendosur pranë rrugës së burgut, pas Policisë Bashkiake, ku kushtet janë tejet të papërshtatshme.
Rruga ku janë detyruar të shesin është plot baltë dhe llucë, çka e bën të vështirë si për tregtarët që përballen me shiun dhe mungesën e infrastrukturës, ashtu edhe për qytetarët që duan të blejnë produkte bio. Situata ka ngjallur pakënaqësi të madhe te banorët dhe tregtarët, të cilët kërkojnë ndihmë dhe një zgjidhje dinjitoze nga Bashkia e Tiranës.
Mesazhi i një qytetari: "Gjendje skandaloze! I kanë dëbuar për t’u ndërtuar pallate. Po shesin nga halli, si në mesjetë. Bashkia s’u ka dhënë asnjë zgjidhje. Kërkojmë ndihmë! I kanë larguar nga fusha ku qëndronin prej vitesh dhe tani mezi i lenë edhe këtu, ku ka vetëm baltë dhe shi!"