Aktori shqiptar Elvis Pupa ka reaguar për herë të parë pas lajmeve për kultivim të paligjshëm kanabisi në një shtëpi bari në Australi.
Në një postim publik në rrjetet sociale, Pupa i ka cilësuar lajmet si dashakeqe, duke mohuar kategorikisht se është në kërkim apo i arratisur por pa mohuar lajmin e kultivimit të kanabisit në një shtëpi bari më Australi. Ai e quan fillimisht lajmin e mediave të huaja manipulim e më pas keqinterpretim të qëllimshëm për të bërë lajm aty ku s'ka asgjë të jashtëzakonshme.
“Jam prej më shumë se një muaji në Tiranë, ku po zhvilloj angazhimet e mia profesionale të planifikuara në Shqipëri dhe në Europë,” shkruan ai dhe akuzon mediat për manipulim informacioni dhe krijim të qëllimshëm sensacionesh.
Në lidhje me bashkëshorten e tij, terapisten dhe influencuesen Belina Pupa, aktori thekson se ajo është e lirë dhe vazhdon aktivitetin e saj profesional. Ai shton se procesi gjyqësor në Australi është ende në zhvillim dhe drejtësia do të vendosë përfundimisht mbi akuzat.
Belina Pupa, e njohur në rrjetet sociale me mbi 80 mijë ndjekës, po përballet me akuza për kultivim të paligjshëm të 43 bimëve kanabisi dhe ndërhyrje të jashtëligjshme në rrjetin elektrik, në një pronë në Ascot Park gjatë periudhës janar–prill 2025.
Të martën, ajo u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide, ku ende nuk ka deklaruar fajësinë. Avokati i saj kërkoi lirim me kusht, me argumentin se Belina Pupa duhet të udhëtojë drejt Shqipërisë për shkak të angazhimeve të saj ndërkombëtare në fushën e shëndetit mendor.
Kërkesa u kundërshtua nga prokuroria, që e konsideron çështjen të rëndë dhe përmendi faktin se bashkëshorti i saj, Vis Pupa i bashkë-akuzuar në këtë çështje është larguar nga Australia dhe aktualisht ndodhet në kërkim.
Gjykata vendosi të shtyjë seancën dhe la Belina Pupën në liri me kusht deri në seancën e ardhshme, e cila do të mbahet javën e ardhshme.