Një mosmarrëveshje për një pronë duket të jetë në rrënjë të vrasjes së Altin Arapajt, 41 vjeç, nga Vlora, i cili u gjet i pajetë në një vresht në zonën e Rafinas, Greqi. Ngjarja tronditëse ka sjellë në qendër të vëmendjes një konflikt të gjatë që dyshohet se lidhet me një shtëpi luksoze të marrë me qira.
Gruaja e viktimës ka folur për mediat greke, duke dhënë detaje tronditëse për çështjen. Sipas saj, konflikti kishte shpërthyer për një banesë në pronësi të një shtetasi amerikan, e dhënë me qira prej vitesh një kanadezi. Ajo tregon se i dyshuari kryesor, Mikel Selimaj, 46 vjeç, gjithashtu nga Vlora, e kishte kërcënuar bashkëshortin e saj disa herë për t’u larguar nga prona.
“E kishte paralajmëruar vazhdimisht, i thoshte: ‘Largohu, shtëpia është e imja, do ta marr unë. Je në mes të askundit’,” tha ajo për televizionin grek “STAR”.
Sipas saj, një vendim gjyqësor i pak ditëve më parë kishte vendosur që pala kanadeze të kompensonte palën tjetër. Kjo, sipas saj, mund të ketë qenë pikënisja e krimit. “Pas humbjes së gjyqit të hënën dhe detyrimit për të paguar kompensim, kanadezi, në mendimin tim, i tha: ‘Merr këto para dhe hiqi qafe’. Në fund, bashkë me shtëpinë humbëm dhe jetën e burrit tim.”
Selimaj dhe Arapaj kishin një histori njohjeje të vjetër dhe në të kaluarën ishin të njohur për sjellje problematike për autoritetet. Megjithatë, ky takim i fundit, i cili mendohet të jetë bërë për të sqaruar situatën rreth shtëpisë në zonën e Lucas, rezultoi fatal.
Ndërkohë, avokati i Selimajt, Nikos Roussopoulos, ka deklaruar se klienti i tij kishte konsumuar lëndë narkotike para ngjarjes. “Ai kishte konsumuar sasi të mëdha droge, veçanërisht kokainë. Ne do të kërkojmë testet përkatëse për ta provuar këtë,” tha ai.
Selimaj dhe dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje ndodhen aktualisht në paraburgim dhe do të dalin sot përpara gjykatës greke. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të krimit po vijojnë.