Napoli fitoi titullin kampion në Serie A pas një fitoreje 2-0 ndaj Cagliarit të premten, duke lënë pas Interin dhe duke siguruar skudeton e dytë në tre sezonet e fundit. Ndeshja kishte një "shije angleze", pasi ishin pikërisht dy ish-lojtarë të Premier League që shënuan: Scott McTominay me një supergol dhe Romelu Lukaku.
Me këtë fitore, Napoli e mbylli kampionatin me 82 pikë, një më shumë se Interi, që gjithashtu fitoi mbrëmjen e sotme ndaj Comos, por pa mundur të mbrojë titullin. Interi tani përqendrohet te finalja e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.
Në krye të Napolit qëndron Antonio Conte, i cili shkroi historinë me një rekord unik duke u bërë trajneri i parë që fiton titullin e Serie A me tre klube të ndryshme: Juventus, Inter dhe tani Napoli. Po ashtu, ai barazoi me pesë tituj emra të mëdhenj si Fabio Capello dhe Marcello Lippi, dhe renditet pas Massimiliano Allegrit (6 tituj) dhe legjendës Giovanni Trapattoni (7).
Conte ka fituar gjithashtu Serie B me Barin dhe Premier Leaguen me Chelsean, duke e forcuar profilin e tij si një nga trajnerët më të suksesshëm të dekadave të fundit.
Nga ana tjetër, Inter e mbylli sezonin me një fitore 2-0 ndaj Comos, por titulli i shpëtoi nga duart. Kapiteni Stefan de Vrij pranoi se ndonëse bënë gjithçka që mundën, në fund Napoli e meritoi titullin. Ai tha se tani fokusi i plotë është te finalja e madhe europiane.