Turqia ka nisur një fushatë kombëtare ku njerëzit ndalohen dhe peshohen në publik, e nëse konstatohet se janë mbi peshë, u kërkohet të dobësohen.
Punonjësit e shëndetësisë janë shpërndarë në të 81 rajonet e vendit, të pajisur me peshore dhe metra matës, në një përpjekje për të kontrolluar 10 milionë qytetarë deri më 10 korrik.
Kalimtarët ndalohen për matje të indeksit të masës trupore (BMI) nga mjekët, teksa ecin në sheshe, qendra tregtare, parqe, madje edhe përpara se të hipin në autobus apo të shkojnë në ndeshje futbolli, sipas raportimeve.
Duke folur në një konferencë për infermierët javën e kaluar, Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Kemal Memişoğlu, deklaroi: “50 për qind e shoqërisë sonë është mbipeshë.”
Ai theksoi rreziqet shëndetësore që lidhen me mbipeshën, duke thënë: “Të jesh mbi peshë do të thotë të jesh i sëmurë, do të thotë që do të sëmuremi në të ardhmen. Fëmijët tanë janë mbipeshë, kanë rezistencë të lartë trupore dhe ndaj nuk sëmuren tani, por kur të plaken, ajo peshë do të shndërrohet në probleme me zemrën.”
Por as vetë Memişoğlu nuk iu shmang peshimit. Javën e kaluar në Ankara, zyrtarët e shëndetësisë i thanë se ai bënte pjesë në përqindjen e popullsisë me “peshë mbi normalen”.
“Tek cili dietolog të shkoj?” ka deklaruar ai, sipas raportimeve, ndërsa më pas shtoi në një postim tjetër të enjten: “Rezultoi që jam pak mbipeshë. Tani është në dorën time, do të nis ecjen çdo ditë.”