Një denoncim tronditës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një shqiptar që jeton në azil në Angli. Ai tregon se ka qenë viktimë e një sulmi të organizuar në Londër, ku disa persona, sipas tij gjithashtu shqiptarë, i kanë zënë pritë me qëllim eliminimin fizik.
Sipas rrëfimit të tij, autorët e kanë goditur disa herë me hanxhar në duar dhe i kanë hedhur acid në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në një zonë të Londrës, ndërsa ai beson se pas këtij atentati qëndrojnë individë që ai ka patur konflikte në Shqipëri, të cilët kanë paguar për sulmin ndaj tij.
“Më kanë goditur tre herë me hanxhar, më kanë hedhur acid në fytyrë. Faleminderit Zotit që kam shpëtuar. Dora e dëmtuar që ju kam dërguar në foto nuk funksionon, më kanë prerë nervat e dorës me hanxhar. Ka ardhur policia në spital, kanë hapur telekamerat, i dinë kush janë dhe nuk i kanë arrestuar,” shprehet ai për JOQ Albania.
Në dëshminë e tij, ai shpreh zhgënjim ndaj autoriteteve britanike, duke thënë se policia nuk ka marrë asnjë masë ndaj autorëve, pavarësisht se sipas tij, ka prova dhe pamje filmike që i identifikojnë.
“Dua të bëj publike çështjen time, pasi në Angli disa persona më kanë djegur me acid dhe më kanë prerë me hanxhar ose shpata. Shteti anglez nuk i arreston dhe nuk ka marrë asnjë masë për këta persona. Ai me fytyrën e djegur jam unë. Këta persona që janë në foto janë ata që më kanë hedhur acid. Gjithçka është bërë me pagesë nga njerëz me të cilët kam pasur probleme në Shqipëri. Unë jam në azil këtu në Angli, kam kërkuar ndihmë dhe jam i mbrojtur, megjithatë më ndodhi kjo gjë,” rrëfen ai.
Pamjet që ai ka dërguar janë të rënda dhe tregojnë përmasat e dhunës ndaj tij. Ai kërkon drejtësi dhe mbrojtje nga autoritetet britanike, ndërsa shpreh frikën për jetën e tij. Ai apelon për ndihmë publike që rasti të mos mbyllet në heshtje dhe fajtorët të vihen përpara ligjit.