“Më qëlloi Keli”, arrestohet autori i vrasjes së shqiptarit në Greqi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.05.2025, 09:26

Mikel Selimaj, 46 vjeç nga Vlora, është arrestuar nga policia greke, pasi akuzohet për vrasjen e bashkatdhetarit të tij, Altin Arapaj, 41 vjeç.

Trupi i pajetë i viktimës u gjet në një vresht në zonën e Rafinas, disa ditë pasi ishte raportuar i zhdukur.

Sipas mediave greke, Selimaj u lokalizua dhe u kap në një apartament të marrë me qira nëpërmjet platformës Airbnb, në Glyka Nera. Pronarja e banesës kishte tentuar të kontaktonte me të, por ai nuk i përgjigjej thirrjeve. E shqetësuar, ajo njoftoi policinë, e cila mbërriti në vend dhe pas rreth 20 minutash trokitje dhe thirrjesh në derë, 46-vjeçari e hapi atë. Ai dyshohet se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e ndalimit.

Policia greke e identifikoi menjëherë të dyshuarin, falë fotove të shpërndara më herët në kuadër të hetimeve. Arrestimi i tij konsiderohet një zhvillim kyç në zbardhjen e plotë të vrasjes së Arapajt.

Sipas hetimeve, mbrëmjen e të mërkurës, pak para se të humbte jetën, viktima kishte telefonuar bashkëshorten dhe i kishte thënë: “Më qëlloi Keli. Më ndihmo. Kërko dhe më gjej.” Kjo deklaratë e fundit u bë udhërrëfyes për autoritetet, të cilët përmes gjurmëve të telefonit fillimisht lokalizuan celularin dhe më pas trupin e pajetë në një vresht.

Mësohet se viktima dhe autori, së bashku me dy shtetas të tjerë shqiptarë që aktualisht janë në kërkim, ishin takuar në plazhin e Lucës. Të katërt u ngjitën në makinën e Selimajt dhe bënë një ndalesë në fushë, ku ndodhi përplasja. Aty, dyshohet se Selimaj qëlloi me armë në fytyrë Altin Arapajn.

Të dy kishin precedentë penalë për çështje droge dhe autoritetet dyshojnë se krimi erdhi si pasojë e një konflikti për shkak të pazareve të drogës.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa dy personat e tjerë të përfshirë mbeten në kërkim nga policia greke.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit