Qeveria britanike ka njoftuar se do të fillojë zbatimin e trajtimit me medikamente për të shtypur dëshirën seksuale te abuzuesit seksualë, si pjesë e një pakete masash për të reduktuar rrezikun e përsëritjes së krimit dhe për të ulur mbipopullimin në burgje.
Ministrja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, tha në Parlament se trajtimi i njohur si “kastrim kimik” do të përdoret fillimisht në 20 burgje në dy rajone të Britanisë, ndërsa po shqyrtohet mundësia që ky trajtim të bëhet i detyrueshëm për një kategori të caktuar të të dënuarve.
“Është jetike që kjo qasje të shoqërohet me ndërhyrje psikologjike që adresojnë faktorë të tjerë si dëshira për pushtet e kontroll,” deklaroi ajo.
Sipas saj, studimet tregojnë se trajtimi mund të reduktojë me 60% rastet e përsëritjes së krimeve seksuale. Megjithatë, jo të gjithë abuzuesit seksualë janë të përshtatshëm për këtë trajtim, veçanërisht ata që kryejnë akte të tilla për shkak të pushtetit dhe jo për arsye seksuale.
Trajtimi është përdorur më parë në mënyrë vullnetare në Gjermani dhe Danimarkë, dhe në mënyrë të detyrueshme në Poloni për disa kategori të dënuarish.
Qeveria britanike është përballur me një krizë të thellë në sistemin e drejtësisë për shkak të mbipopullimit të burgjeve. Numri i të burgosurve në Angli dhe Uells është dyfishuar në 30 vitet e fundit dhe ka arritur në rreth 90 mijë, duke detyruar autoritetet të marrin masa urgjente, përfshirë përdorimin e përkohshëm të qelive të policisë.
Në një rishikim të pavarur të sistemit të dënimeve, u propozua gjithashtu që dënimet më të shkurtra se 12 muaj të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme, si dhuna në familje, ndërsa të huajt e dënuar me më shumë se 3 vite të dëbohen menjëherë. Ndër masat e tjera parashikohet forcimi i shërbimit të provës dhe më shumë investime në sistemin e mbikëqyrjes elektronike.
Ish-ministri konservator i drejtësisë, David Gauke, paralajmëroi se Britania nuk mund të zgjidhë problemin vetëm duke ndërtuar më shumë burgje, por ka nevojë për reforma rrënjësore për të stabilizuar sistemin penal.