Varrezat e Kashnjetit në Lezhë të pushtuara nga barishtet dhe ferrat, familja nga diaspora s’gjen dot varrin e të afërmit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.05.2025, 20:37

Një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një denoncim shqetësues që lidhet me mungesën e mirëmbajtjes së varrezave në fshatin Kashnjet, Njësia Administrative Ungrej, në Lezhë.

Pamjet flasin vetë: varret janë mbuluar totalisht nga bari dhe ferrat, aq sa bëhet thuajse e pamundur të dallohet ndonjë gur varri. Kjo gjendje është bërë shkak që një familje e ardhur nga diaspora të mos arrijë dot të gjejë varrin e gjyshit të tyre.

Në foto shfaqet gjendja aktuale e varrezave në fshatin Kashnjet, ku bari dhe ferrat kanë pushtuar tërësisht hapësirën, duke mbuluar varret.

Barishtet e larta që kanë mbuluar varrezat jo vetëm e bëjnë të pamundur gjetjen e varreve, por paraqesin edhe rrezik real për qytetarët, pasi mund të fshehin gjarpërinj që mund të shkelën aksidentalisht nga vizitorët.

Denoncuesi shprehet:

“Përshëndetje JOQ! Kishte ardh nga diaspora një familje për pushime dhe kanë dalë për të vizituar varrin e gjyshit në fshat për t’i ndez një qiri. Ata duke pritur pasaportën europiane për të cilën kishin ‘votuar’ s’po gjenin dot varrin nga ferrat dhe barishtet. Në varrezat e fshatit Kashnjet, njësia administrative Ungrej, bashkia Lezhë!! Pamjet nga një banor i zonës që jeton në diasporë!”

Ky denoncim është një thirrje e qartë ndaj Bashkisë Lezhë për të marrë masa dhe për të garantuar një mirëmbajtje minimale të varrezave, për respektin që u detyrohet të ndjerëve dhe familjarëve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit