Një nga pasagjeret e fluturimit DY1935 të kompanisë Norwegian, që bëri ulje emergjente në Split të Kroacisë, ka treguar për JOQ momentet dramatike që përjetuan në bord, duke e përshkruar udhëtimin si një “tmerr të vërtetë”.
Avioni, që kishte nisur fluturimin nga Tirana drejt Oslos, devijoi kursin vetëm pak minuta pas ngritjes për shkak të një defekti teknik, ku më pas u raportua për një xham të krisur në anën e pilotit dhe një rënie të ndjeshme të presionit në kabinë.
Pasagjerja, që ndodhej në bord, ka ndarë përmes një mesazhi rrëqethës për JOQ përjetimet e saj:
"U duk që në nisje se diçka nuk shkonte. Kishte një zhurmë të çuditshme që dëgjohej më shumë se zakonisht. Sapo u ngritëm, në momentin që doli sinjali për të hequr rripin, stjuardesat na thanë ta mbanim të lidhur sepse situata ishte e rrezikshme. Pas 10 minutash dëgjuam dy zhurma të forta, si të ishte kërcitur diçka. Stjuardesat ishin në stres dhe ankth, por përpiqeshin të mos e tregonin për të mos na trembur. Pastaj na informuan se do të bënim një ulje emergjente në Kroaci për shkak të një problemi teknik.
Ulja ishte shumë e vështirë. Kishte shumë presion në kabinë – të gjithëve na dhimbnin veshët dhe nofullat. Ishte një ngjarje vërtet e rrezikshme, sidomos kur pamë çfarë na priste poshtë: zjarrfikëse, ambulanca, infermierë, policë – gjithçka. Aty kuptuam se kemi shpëtuar me fat. Dhe kjo është një nga kompanitë që mbahet ndër më të mirat në Skandinavi!"
Pas incidentit, pasagjerët qëndruan për rreth 12 orë në aeroportin e Splitit deri në ardhjen e një avioni tjetër që i dërgoi drejt Oslos.
Sipas pasagjeres, ata i kanë dërguar email kompanisë për të kërkuar dëmshpërblim, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.