Porti i Durrësit prej vitesh rrugë kyçe për kalimin e kokainës, pse reagoi sot DEA?

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 22.05.2025, 19:57

Ndonëse dikur në Portin e Durrësit kapeshin qindra arka me banane të mbushura me kokainë, prej tre vitesh policia shqiptare nuk ka kapur asnjë sasi të madhe droge në këtë pikë kyçe.

Në letër, gjithçka duket “nën kontroll”, por faktet, dosjet dhe reagimet ndërkombëtare tregojnë të kundërtën. Sinjali më i fundit vjen pikërisht nga Uashingtoni.

Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi zyrtarisht sot se linja e sinjalizimit të DEA-s (Agjencia amerikane kundër drogës) është vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë.

Në “WhatsApp” dhe imejl, DEA kërkon që çdo individ që ka informacion për trafik droge apo pastrim parash, të bashkëpunojë direkt me agjentët e saj, por pse tani?

"Linja e sinjalizimit të Agjencisë së ShBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara", thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Reagimi i fundit vjen pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafies italiane në Durrës, që ekspozoi edhe një herë rolin kyç të këtij porti në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas dosjeve italiane, tonelata kokaine kanë hyrë përmes Durrësit, ndërsa emra si “Visi i Pojës” përmenden si figura të rëndësishme të trafikut. Megjithatë, që nga viti 2022 nuk është kapur asnjë sasi e madhe droge, duke ngritur dyshime serioze për mungesë vullneti apo paaftësi institucionale.

SHBA, përmes DEA-s dhe deklaratave të zyrtarëve të Antimafies, po shfaq një mungesë të dukshme besimi ndaj institucioneve shqiptare, duke sinjalizuar se disa segmente të policisë janë të lidhura me rrjetet kriminale. Kjo ka çuar në një thirrje të drejtpërdrejtë për bashkëpunim me qytetarët, jashtë kanaleve zyrtare, si një formë denoncimi paralel. Mesazhi është i prerë: rrjetet e trafikut të drogës janë ende aktive dhe të mbrojtura, veçanërisht në boshtin Tiranë-Durrës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit