Një fluturim i linjës Tiranë–Oslo i kompanisë ajrore norvegjeze Norwegian ka përjetuar momente tensioni të martën, kur u detyrua të bëjë një ulje emergjente në aeroportin e Splitit, në Kroaci. Sipas raportimeve të Skyweb.al, shkak për devijimin e avionit DY1935 u bë një xham i krisur në anën e pilotit dhe një rënie e papritur e presionit në kabinë.
Autoritetet kroate mobilizuan të gjitha shërbimet emergjente, të cilat ishin në gatishmëri në pistë në pritje të avionit. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar në bord dhe situata u vu nën kontroll pa pasoja për pasagjerët apo ekuipazhin.
Ky ishte incidenti i dytë brenda të njëjtës ditë për të njëjtin avion. Më herët, fluturimi DY1934 në itinerarin Oslo–Tiranë kishte devijuar drejt Berlinit për arsye që ende nuk janë sqaruar nga autoritetet apo kompania ajrore.
Hetimet për të dy incidentet janë në vijim, ndërsa ekspertët po analizojnë shkaqet teknike dhe verifikojnë respektimin e procedurave të sigurisë nga ana e kompanisë. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për gjendjen e mirëmbajtjes së avionëve të Norwegian, një prej transportuesve të njohur në itineraret drejt dhe nga Shqipëria.