Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në zonën e Rafinës në periferi të Athinës, ku një shqiptar 41-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Altin Arapaj. Sipas raportimeve, ai është qëlluar me një plumb në fytyrë nga një tjetër shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar.
Ngjarja ka ndodhur në brendësi të një vreshti, ku 41-vjeçari punonte. Ai dyshohet se nuk ka humbur jetën menjëherë, por fillimisht ka mbetur i plagosur. Në këtë moment ka telefonuar bashkëshorten e tij, duke i treguar se çfarë ndodhi dhe emrin e personit që e qëlloi.
Në këtë moment gruaja e tij ka telefonuar policinë, dhe pas disa orësh kërkime, është bërë e mundur gjetja e telefonit të tij. Disa metra më tutje ndodhej dhe trupi i pajetë i 41-vjeçarit.
Viktima ka qenë i njohur për autoritetet helene si person i përfshirë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që dhe autori dyshohet se është i lidhur me këtë aktivitet. Një nga pistat e ngjarjes ku po hetohet është dhe ajo e prishjes së pazareve të drogës.