Valë e re shkarkimesh ka përfshirë Bashkinë e Tiranës, ku kryetarja në detyrë Anuela Ristani ka ndërmarrë vendime të forta ndaj zyrtarëve të afërt me ish-kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg.
Pas largimit të mëparshëm të Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit, tashmë janë shkarkuar edhe drejtori i Protokollit dhe drejtoresha e Shërbimeve Mbështetëse. Së bashku me ta, janë liruar nga detyra edhe një numër shoferësh, sekretarësh dhe punonjës të stafit mbështetës, disa prej të cilëve kishin mbi 10 vite pune në institucion.
Lëvizjet e fundit po interpretohen si një përpjekje për të spastruar administratën nga ndikimi i Veliajt, ndërkohë që vetë Ristani më herët kishte deklaruar se Bashkia funksionon normalisht dhe se nuk ka krizë. Ajo ka theksuar se puna për qytetin vijon me të njëjtin vizion dhe përkushtim.