Një hetim pesëvjeçar mes Antimafias italiane dhe SPAK-ut ka çuar në goditjen e një rrjeti të gjerë trafiku ndërkombëtar të kokainës, ku përfshihen dhjetëra shtetas shqiptarë dhe italianë. Në qendër të këtij rrjeti qëndron një organizatë e fuqishme me bazë në Durrës, e lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zbulimeve dhe vëzhgimeve të detajuara nga hetuesit italianë dhe dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë si Nuredin Dumani, në Portin e Durrësit – një nga pikat më të rëndësishme të hyrjes për mallrat në vend – nuk është kapur asnjë gram kokainë apo heroinë në tre vitet e fundit.
Kjo mungesë totale e kapjeve në një pikë strategjike për trafikun ka ngritur pikëpyetje serioze mbi kontrollin real të territorit dhe efektivitetin e strukturave të zbatimit të ligjit. Sipas një oficeri antidroge në Durrës, trafikantët shmangin portin dhe realizojnë shkëmbimet në det të hapur, për t’i sjellë më pas sasi të vogla në tokë. Por për shumë ekspertë, kjo është më shumë një mbulesë sesa një shpjegim bindës për mungesën e rezultateve konkrete.
Ndërkohë, sipas Dumanit, organizata e drejtuar nga Xhevdet Troplini ka vite që ka nën kontroll Durrësin, me aktivitete që shtrihen deri në Itali e Gjermani. Megjithëse janë sekuestruar disa biznese dhe prona në bregdetin e Durrësit, shumë prej drejtuesve të dyshuar të grupit vijojnë të jenë të lirë, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë hapur hetime të drejtpërdrejta ndaj tyre.