Policia ka shpallur në kërkim dy persona për vrasjen e Ermir Dedjas, 29-vjeçarit që dyshohet si anëtar i grupit kriminal të Avdulajve. Mes tyre është edhe një shtetas nga Maroku, i cili dyshohet se ka sjellë automjetin tip "Seat" nga Porti i Durrësit, i cili më pas u përdor nga autorët për të kryer atentatin.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, marokeni ka lënë automjetin në dispozicion të atentatorëve dhe vetëm një ditë pas vrasjes, është larguar nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar drejt Italisë. Në kërkim është shpallur gjithashtu edhe një shtetas shqiptar, i dyshuar për ndihmë logjistike në atentat.
Ermir Dedja u ekzekutua në mbrëmjen e së hënës, në lagjen nr. 18 të qytetit bregdetar, teksa po ecte në trotuar. Autorët qëlluan nga një automjet në lëvizje, duke e lënë të vdekur në vend me dy plumba, njëri prej të cilëve në gjoks.
Pas ngjarjes, autorët u larguan drejt zonës së Gërdecit, ku dogjën automjetin, i cili më pas u gjet nga policia. Nga mjeti i djegur, ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar prova të cilat janë dërguar për analizë laboratorike.
Hetuesit besojnë se atentati është kryer nga dy persona të tjerë, të cilët kanë qenë ekzekutorët, ndërsa dy të shpallurit në kërkim kanë pasur rol mbështetës logjistik. Verifikimet në sistemin TIMS kanë zbuluar se të dy personat janë larguar nga Shqipëria, menjëherë pas ngjarjes.
Për shkak të të kaluarës kriminale të viktimës, hetuesit po shqyrtojnë disa pista hetimore, ndërsa janë në bashkëpunim me autoritetet italiane për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim.