Sot në redaksinë tonë ka mbërritur një apel që na tronditi zemrën. Një nënë nga Vlora, Razia, po përpiqet të mbajë në këmbë jetën e tre fëmijëve të saj, në një shtëpi që nuk mund të quhet më strehë.
Më i vogli prej tyre, Kleidi, vetëm 4 vjeç, është diagnostikuar me sindromën Down. Pavarësisht sfidave të mëdha shëndetësore, ai është një dritë e pastër, gjithmonë me një buzëqeshje të ëmbël, që fsheh dhimbje që fëmijët nuk duhet t’i njohin kurrë.
Pas ndarjes nga bashkëshorti, Razia është mbështetja e vetme e fëmijëve të saj. Jetojnë në kushte jashtë çdo norme njerëzore, në një shtëpi që rrezikon të shembet dhe ku uji i shiut nuk ndalet në prag, por përmbyt çdo cep të brendshëm, si për të treguar se as qielli nuk mban dot më lotët e kësaj familjeje.
Por Kleidi ka një dëshirë të thjeshtë, një shtëpi të vogël, të ngrohtë, ku të ndjejë siguri përkrah motrës dhe vëllait të tij. Dhe nëna e tyre, me zërin që i dridhet nga lodhja dhe dhimbja, ju drejtohet juve, shqiptarëve të zemrës, qytetarëve të Vlorës, të cilët kanë mundësinë ta ndihmojnë sadopak.
Nëse keni mundësi të ofroni një strehë, një ndihmë, një zgjidhje për këta fëmijë, mund të kontaktoni direkt me nënën e tyre në këtë numër: +355 67 69 14 605.
Çdo dorë që shtrihet, është një fije drite në errësirën e tyre. Le t’i tregojmë Kleidit dhe motrës e vëllait të tij se nuk janë vetëm.