Tërmet me magnitudë 6.1 në Kretë, lëkundje të forta dhe dëme

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.05.2025, 07:43

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së enjtes zonën pranë Neapolis në Lassithi të Kretës, duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët dhe duke u ndjerë gjerësisht deri në Atikë.

Sipas mediave lokale greke, lëkundja sizmike ka alarmuar qytetarët, të cilët dolën me shpejtësi nga banesat pas një zhurme të fortë gjëmimi që shoqëroi tërmetin. Disa ndërtesa janë dëmtuar si pasojë e tërmetit ndërsa produkte kanë rënë nga raftet e supermarketeve, duke shkaktuar dëme materiale.

Pas tërmetit kryesor, janë regjistruar të paktën nëntë paslëkundje, me magnitudën më të fortë 3.5 Rihter dhe më të dobëtën 2.5.

Autoritetet vendore dhe shërbimet zjarrfikëse në Kretë janë në gjendje gatishmërie. Automjetet e zjarrfikësve janë duke patrulluar për të vlerësuar dëmet, ndërkohë që janë raportuar rrëshqitje të vogla dheu në rrugët provinciale dhe dëmtime në disa ndërtesa në Heraklion.

Bashkia e Heraklionit dhe ajo e Lassithit kanë urdhëruar kontrolle në institucionet arsimore, ndërsa deri tani nuk raportohen dëmtime në shkolla. Për arsye sigurie, Gryka e Imbros në Sfakia do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu nëse do të mbyllet përkohësisht edhe parku kombëtar i Samarisë.

Presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen ndaj Tërmeteve (OASP), Efthymios Lekkas, sqaroi se tërmeti kishte një thellësi të konsiderueshme, gjë që ul rrezikun për cunami apo dëme të mëdha. Ai shtoi se strukturat ndërtimore të Kretës mund ta përballojnë këtë lloj tërmeti.

Sizmologët Thanasis Ganas dhe Akis Tselentis konfirmuan se ky ishte tërmeti kryesor dhe se zona ishte aktive prej dy vitesh me mikrolëkundje. Ata sqaruan se intensiteti u ndje edhe në jug të Greqisë për shkak të përhapjes së valëve nga thellësia ku ndodhi tërmeti.

Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia e paslëkundjeve të tjera më të lehta, megjithatë, sipas ekspertëve, situata është nën kontroll dhe nuk pritet ndonjë zhvillim i rrezikshëm në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit