Trump përballet me Presidentin e Afrikës së Jugut për vrasjen e fermerëve të bardhë

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 22.05.2025, 00:11

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur akuza të forta ndaj presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, gjatë një takimi zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, duke e akuzuar vendin afrikan se nuk po vepron kundër vrasjeve të fermerëve të bardhë dhe sekuestrimit të tokave të tyre.

Në një moment gjatë takimit, Trump uli dritat në Zyrën Ovale dhe shfaqi një video me përmbajtje të ndjeshme, ku një politikan komunist shfaqej duke kënduar një këngë kundër-aparteid që përfshin tekste të dhunshme për “vrasjen e fermerëve”. "Njerëzit po ikin nga Afrika e Jugut për të shpëtuar jetën," tha Trump, duke shtuar: "Tokat po u konfiskohen dhe në shumë raste, ata po vriten."

Presidenti Ramaphosa u shfaq i befasuar dhe reagoi duke thënë: “Do të doja të dija ku ndodh kjo, sepse unë nuk kam parë kurrë këto pamje.”

Ramaphosa kishte kërkuar takimin për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-të, të cilat ndodhen në pikën më të ulët që prej përfundimit të aparteidit në vitin 1994. Ai mohoi kategorikisht akuzat dhe theksoi se “jemi plotësisht kundër një sjelljeje të tillë.”

Ekspertët në Afrikën e Jugut thonë se nuk ka prova që fermerët e bardhë po targetohen në mënyrë të veçantë, duke shtuar se dhuna prek fermerë të të gjitha racave në një vend me nivele të larta kriminaliteti.

Ndërkohë, profili zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në platformën X (ish-Twitter) publikoi videon me titullin: "Sapo u shfaq në Zyrën Ovale: Prova e Përndjekjes në Afrikën e Jugut", ndërsa takimi mes dy liderëve ende po zhvillohej.

Trump, megjithëse nuk foli për padinë që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha se "ka shumë zemërim" në lidhje me situatën dhe shtoi: "Nuk pres ndonjë gjë. Do të shohim çfarë do të ndodhë."

Ai theksoi gjithashtu lidhjet e tij me Afrikën e Jugut, duke përmendur mikun e tij, miliarderin Elon Musk: "Elon është nga Afrika e Jugut... por nuk dua ta përfshij në këtë çështje."

Ramaphosa u shpreh se qëllimi i tij është të “rivendosë marrëdhënien me SHBA-të” dhe të kërkojë më shumë bashkëpunim ekonomik. “Jemi këtu për të bërë një ‘reset’ të marrëdhënieve mes dy vendeve,” tha ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit