Vetëvrasja e një emigranti maroken në Itali, pasi ishte transferuar nga kampi i Gjadrit në Shqipëri, ka rikthyer vëmendjen tek pasojat e modelit italian të menaxhimit të emigracionit nëpërmjet territorit shqiptar. Amnesty International paralajmëron: "Ky sistem prodhon vuajtje dhe vdekje".
Rasti tragjik i Hamid Badoui, një 42-vjeçar maroken i cili u vetëvra në një burg në Torino pas një qëndrimi në kampin e Gjadrit, ka ndezur polemika të forta në Itali. Badoui kishte shprehur frikën e rikthimit në Shqipëri, duke i thënë avokatit të tij: “Më mirë në burg sesa në Shëngjin”.
Ky rast ka shkaktuar një reagim të fortë politik dhe shoqëror, me opozitën italiane që akuzon qeverinë Meloni për trajtim çnjerëzor të emigrantëve dhe për eksportimin e krizës drejt një vendi tjetër – Shqipërisë.
Në një deklaratë të ashpër, Amnesty International Italia thekson se “modeli Meloni sjell vuajtje dhe vdekje”, duke kritikuar me forcë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ndërtimin dhe përdorimin e qendrave të paraburgimit për emigrantët në territorin shqiptar.
“Struktura ekstraterritoriale, izolim gjeografik, akses i vështirë në garanci ligjore dhe kujdes shëndetësor, përdorimi ndëshkues i ndalimit administrativ – këto janë elementët e një modeli që shkel të drejtat themelore të njeriut,” thuhet në deklaratë.
Sipas Amnesty, emigrantët në qendrat e Shqipërisë dhe ato të Italisë jetojnë në kushte degraduese, pa mbështetje shëndetësore e pa informacion, ndërsa protestat, vetëlëndimet dhe vetëvrasjet janë simptoma të një sistemi të ndërtuar për të izoluar dhe ndëshkuar, jo për të ndihmuar.
Deklarata përfundon me një thirrje për ndalimin e transfertave drejt Shqipërisë, një hetim të pavarur për vdekjen e Hamid Badoui, si dhe një debat publik mbi dështimin e politikave të ndalimit dhe zhvendosjes.
“Të mbështesësh modelin shqiptar do të thotë të jesh bashkëfajtor në një regjim që prodhon përjashtim, vuajtje dhe vdekje”, mbyllet deklarata e Amnesty International.