Një emigrant maroken, 42-vjeçari Hamid Badoui, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike duke varur veten në burgun e Torinos, vetëm pak ditë pasi ishte rikthyer nga kampi i Gjadrit në Shqipëri, ku kishte qëndruar për rreth një muaj. Ai kishte përdorur lidhëset e këpucëve për t’i dhënë fund jetës, ndërsa më herët kishte shprehur frikë të madhe ndaj një rikthimi në atë kamp, të cilin e përshkruante si më keq se burgu.
“Më mirë në një burg sesa në atë CPR”, – ishin fjalët e 42-vjeçarit sipas avokatit të tij.
Badoui kishte jetuar për 13 vite në Piemonte të Italisë, por për shkak të problemeve me varësinë ndaj drogës dhe veprave penale të vogla, ai u përball me një sërë dënimesh që përfunduan me refuzimin e azilit dhe ai përfundoi në Gjadër me qëllim kthimin në vendin e tij. Për ngjarjen kanë reaguar përfaqësues të shumtë të opozitës italiane që kanë kritikuar qeverinë për mënyrën si po trajton emigrantët.
Një reagim të ashpër ka bërë edhe organizata e të drejtave të njeriut “Amnisty International Italia” që thotë se modeli “Meloni” sjell vuajtje dhe vdekje.