Dumani trondit hetuesit: Grupi “Poja” sundon Durrësin dhe ka “pushtuar” Hamburgun me kokainë!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.05.2025, 18:20

Një pjesë e dosjes së bujshme “Ura” është zbardhur, duke hedhur dritë mbi aktivitetin e një grupi kriminal të fuqishëm që operonte në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Operacioni i përbashkët i autoriteteve italiane me Prokurorinë e Posaçme SPAK çoi në lëshimin e 52 masave sigurie, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 40.

Në qendër të kësaj bande qëndron qyteti i Durrësit, ndërsa goditja u bë falë përgjimeve në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” dhe dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Dumani, gjatë dëshmisë së tij para hetuesve italianë, ka deklaruar se në krye të grupit qëndron Xhevdet Troplini, i ndjekur nga Elvis Doçi dhe një person i njohur si “Miri”. Sipas tij, grupi kriminal i quajtur “Poja” ka hyrë fuqishëm në tregtinë e drogës që prej vitit 2010 dhe aktualisht kontrollon tërësisht qytetin e Durrësit.

“Kanë pushtuar Hamburgun. Kontrollojnë gjithë tregun e kokainës përmes çmimeve të ulëta,” është shprehur Dumani, duke shtuar se grupi vepron edhe në Itali, me lidhje të forta në Kalabri dhe rrugë të sigurta trafikimi nga Kolumbia.

Sipas Dumanit, vetëm për pagesat mujore ndaj trupave të sigurisë që mbronin zonën dhe familjet e anëtarëve, “Poja” shpenzonte 150 mijë euro në muaj. Rroga e një roje varionte nga 500 deri në 1000 euro, duke sugjeruar një strukturë me të paktën 150 persona vetëm për sigurinë brenda Durrësit.

Dëshmia e Dumanit tregon edhe lidhje të këtij grupi me figura të larta politike. Sipas tij, grupi u fuqizua ndjeshëm në kohën kur President i Shqipërisë ishte një person “i korruptuar”.

Në një seri pyetjesh nga hetuesi italian, Dumani e përshkruan “Pojën” si një ndër grupet më të egra dhe më të organizuara në vend, që vepron me strategji të sofistikuar dhe jo domosdoshmërisht përmes dhunës. “Ata nuk kishin nevojë për forcë, fitonin tregun me çmimin e ulët të kokainës,” – thotë ai.

Hetimet për dosjen “Ura” pritet të vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë në ndjekje të 12 të dyshuarve ende të lirë.

Biseda e plotë e Nuredin Dumanit me hetuesit italianë

P.M. DOKTOR CARDINALI: Pra Visi është numri 2, Poja është numri 1. Pastaj the që edhe Miri bën pjesë.

NUREDIN DUMANI: “Po. Këta janë tre personat më të rëndësishëm të grupit.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: The që ishte një grup që kishte armë.

NUREDIN DUMANI: “Në sasi të mëdha!”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Është një grup që operonte… që prej sa kohësh funksiononte?

NUREDIN DUMANI: “Ka hyrë fuqishëm në tregti nga viti 2010 e tutje. E kam fjalën që u bënë të fortë atëherë, sepse kishin punuar edhe më parë.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Kishin një zonë që e kontrollonin?

NUREDIN DUMANI: “Tani po, tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin! Më përpara jo.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Sa persona kishte ky grup?

NUREDIN DUMANI: “Njëherë Miri më tha që vetëm për personat që paguheshin për sigurinë, për lagjen, për familjen, ai paguante çdo muaj 150 mijë euro.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Sa persona?

NUREDIN DUMANI: “Nuk mund të jap një numër të saktë sepse ishin shumë! Rroga minimale për një person që punonte për sigurinë varionte nga 500 deri në 1000 euro.

P.M. DOKTOR CARDINALI: Nëse paguante 150 mijë euro, të paktën 150 persona?

NUREDIN DUMANI: “Po.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Këta ishin ata që qëndronin në Durrës. Kishte të tjerë jashtë Durrësit?

NUREDIN DUMANI: “Dëgjo, këta që paguheshin ishin ata që nuk i duheshin për gjëra të tjera. Ndërsa ata që ishin jashtë Durrësit ishin ortakët në tregti. Këta u rritën shumë në periudhën kur presidenti ishte një person i korruptuar. Që ishte këtu në Shqipëri dhe që edhe sot është në qarkullim.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Po jashtë Shqipërisë, kishte njerëz të tjerë?

NUREDIN DUMANI: “Shumë.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Në Europë?

NUREDIN DUMANI: “Në Gjermani, Itali. Në Hamburg pothuajse kanë pushtuar gjithë qytetin, sepse edhe unë kisha ndërtuar punën time atje. Po flas për trafikun e kokainës. Ata arrinin të dominonin tregun përmes çmimit të ulët të kokainës.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Por a e kanë rrëzuar konkurrencën edhe me forcë?

NUREDIN DUMANI: “Jo, ata nuk e kanë forcën. Jo.”

Oficer P.G GJONI: Pyet nëse e kanë përdorur ndonjëherë?

NUREDIN DUMANI: Nuk e ka përdorur forcën. Me mua nuk kishte shans, por them me të tjerët – nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Nuk kishte nevojë për forcë, sepse ai e ulte çmimin dhe futej në treg.”

P.M. DOKTOR CARDINALI: Kjo në Gjermani dhe në Hamburg. Pastaj the që kishte njerëz edhe në Itali.

NUREDIN DUMANI: Po, më tregoi se në Itali kishte mundësi ta fuste drogën në zonën e Kalabrisë. Ajo vinte nga Kolumbia dhe shkarkohej atje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit