Adi Çoba, është një prej drejtuesve kryesorë të organizatës kriminale të goditur nga autoritetet shqiptare dhe italiane në kuadër të operacionit të koduar “URA”. Në dosjen hetimore të Antimafies Italiane, Adi Çoba cilësohet si "koka" e rrjetit që trafikonte sasi të mëdha heroine dhe kokaine nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë dhe më tej në vende të Bashkimit Evropian.
Sipas hetimeve, Çoba – i njohur edhe me pseudonimet “Bisha”, “i shëndoshi” dhe “Bazholi” – organizonte dhe koordinonte aktivitetin e grupit kriminal nga Shqipëria, duke dërguar korrierë drejt Italisë përmes linjave të rregullta tokësore ndërkombëtare. Në përgjime, ai përmendet si personi që financonte, kontrollonte dhe shpërndante rrjetin e shpërndarjes së drogës në disa rajone të Italisë si Bari, Brindisi dhe Leçe.
Në Durrës, atij iu sekuestrua lokali “Felix Vinum”, ndërkohë që autoritetet kanë vendosur sekuestro mbi pasuri të tjera, përfshirë disa biznese të regjistruara në emër të bashkëpunëtorëve të tij.
Në dosjen italiane përmenden dhe emrat e dhjetëra shqiptarëve dhe italianëve të përfshirë, të cilët përdornin pseudonime për të fshehur identitetin: Francesca Caputtim shtetase italine pjesë e këtij grupi njihej me pseudonimin “Gjyshja”, ndërsa ‘halla’ ishte Serafina Palazzo, ndërsa Nuredin Kipitiu njihej me pseudonimet “Nuro”, “Pacurri”, “Cigani”, “Blaki” ose “Dino” . Rigels Presi, njihej ndryshe nga anëtarët e bandës me pseudonimet Gelsi “Seriali” ose Miki.
Gjithashtu, janë identifikuar edhe dy punonjës policie shqiptarë, Altin Morina dhe Orges Molla, të cilët dyshohet se ndihmonin grupin për të shmangur hetimet.
Grupi ka pasur lidhje dhe bashkëpunim me rrjete kriminale në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, ndërsa aktiviteti i tij ka prodhuar miliona euro të ardhura nga tregtia e narkotikëve.
Në total, janë lëshuar 52 masa sigurie, prej të cilave 40 janë ekzekutuar në Shqipëri dhe Itali.