Grupi kriminal Shqipëri-Itali/ Sekuestrohen miliona €, biznese dhe televizioni i Danajt në Vlorë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.05.2025, 13:06

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka zbuluar detaje të reja rreth megaoperacionit në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe nën koordinimin e Eurojust, ku u godit një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës me origjinë nga Shqipëria.

Grupi kriminal dyshohet se ushtronte veprimtari të strukturuar në trafikun e lëndëve narkotike – kryesisht kokainë dhe heroinë – nga Amerika Latine, përmes Shqipërisë, me destinacion Italinë, Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, dhe në disa raste edhe në tregje më të gjera ndërkontinentale.

Operacioni i koduar “Ura”, i cili nisi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, përfshiu 52 urdhër-arreste, nga të cilat 40 janë ekzekutuar deri tani në Shqipëri dhe Itali. Ndër personat e arrestuar ka zyrtarë shtetërorë, biznesmenë, avokatë, si dhe figura të njohura të botës së krimit.

Gjithashtu janë vendosur nën sekuestro disa pasuri me origjinë të dyshimtë kriminale, si: 3 restorante në Durrës, 1 bar-kafe, 6 shoqëri tregtare, 1 televizion në Vlorë, një kompani makinash dhe 3 milionë euro cash

Shoqëritë e sekuestruara përfshijnë: “Marquez” – në pronësi të Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” – e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” – e Juxhin Drazhit, “Portside” – e Elvis Doçit (Visi i Pojës), “Dubai Inn” dhe “Vlora Cable” – të Nexhmedin Danajt, Kompania tregtare e makinave – në pronësi të Olgert Shqevit

Nexhmedin Danaj është një biznesmen dhe figurë e njohur nga Vlora, i përfshirë në një operacion ndërkombëtar antidrogë që ka çuar në arrestimin e tij në Spanjë në vitin 2024. Ai dyshohet se ka luajtur një rol kyç në pastrimin e të paktën 65 milionë eurove të ardhura nga trafiku i kokainës. Në hetimet e zhvilluara nga autoritetet spanjolle dhe Europol, Danaj është identifikuar si një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar, së bashku me bashkëshorten e tij, Algerta Fejzulla, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në transferimin e parave të kokainës. Çifti është akuzuar për krijimin e një rrjeti të pastrimit të parave që ka operuar në disa qytete të Spanjës, duke përfshirë Madridin, Malagën, Seviljen, Valensian dhe Barcelonën.

Përveç aktiviteteve të tij në Spanjë, Danaj është i lidhur me disa biznese në Shqipëri. Ai është ortak në televizionin kabllor “Vlora Cable” (i njohur më parë si “Vlora Cable”), së bashku me vëllain e tij, Sadrit Danaj, ish-kryetar i Qarkut të Vlorës. Gjithashtu, ai është i lidhur me kompaninë “General Trading LLC” me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila dyshohet se ka pastruar para të ardhura nga trafiku i kokainës

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit