Detaje të reja janë zbardhur nga megaoperacioni ndërkombëtar, i koduar “Ura”, i cili është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në një bashkëpunim të gjerë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, duke rezultuar në 52 urdhër-arreste dhe sekuestrime pasurie me vlerë miliona euro.
Hetimet kanë zbuluar një rrjet të gjerë kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge (kokainë dhe heroinë), pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ku të dyshuarit përfshijnë biznesmenë, zyrtarë publikë, avokatë, policë dhe individë të lidhur me botën e krimit.
Mes të arrestuarve në Shqipëri është edhe administratori i një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi, Armand Tragaj avokat në Durrës dhe ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në këtë qytet, një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla, dhe Ervis Doçi, i njohur në Durrës si Visi i Pojës, një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare.
Grupi vepronte në mënyrë të organizuar, duke trafikuar sasi të mëdha narkotikësh midis Ballkanit, Evropës Veriore dhe rajonit italian të Puglias. Nga hetimet e zhvilluara në të dy vendet, janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë miliona euro, përfshirë prona, automjete luksoze dhe llogari bankare.
Ky operacion është pjesë e një projekti më të gjerë hetimor i ndërmarrë nga DDA e Barit dhe SPAK në Tiranë, me synim çmontimin e rrjeteve kriminale shqiptare që kontrollojnë trafikun e narkotikëve drejt Italisë dhe vendeve të tjera europiane. Organizatat shqiptare, sipas autoriteteve italiane, kanë luajtur një rol kyç në zinxhirin ndërkombëtar të drogës, duke garantuar shpërndarjen dhe pastrimin e të ardhurave përmes aktiviteteve legale dhe struktura financiare të ndërlikuara.
Autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të vijojnë dhe priten masa të tjera ndëshkuese ndaj personave të përfshirë.