Gati dy vite pas zhvillimit të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, Shqipëria ende nuk ka një shifër zyrtare për popullsinë, ndërkohë që treguesit e pjesshëm demografikë sinjalizojnë për një përkeqësim të ndjeshëm të profilit të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 lindën 4,662 foshnja, një rënie me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në krahasim me vitin 2021, rënia kap shifrën e 26%, ndërsa trendi zbritës ka vijuar me ritme gjithnjë e më të shpejta sidomos pas pandemisë.
Zonat më të prekura nga rënia e lindjeve janë qarqet veriore, ku Kukësi regjistroi rënien më të madhe në rang vendi me mbi 22% në vetëm një vit. Edhe Dibra ndan të njëjtin fat. Emigrimi masiv, varfëria dhe mungesa e perspektivës kanë kontribuar në tkurrjen dramatike të popullsisë në këto zona.
Në kontrast të fortë qëndron Tirana, e cila megjithëse vazhdon të tërheqë banorë përmes migrimit të brendshëm, po përjeton një rënie të fortë të lindjeve – e dyta në vend me 18% rënie. Ekspertët e shpjegojnë këtë me kostot e larta të jetesës, çmimet e papërballueshme të banesave, koston e edukimit dhe mungesën e sigurisë ekonomike për çiftet e reja.
Qarqet jugore dhe bregdetare si Vlora, Gjirokastra dhe Berati kanë pësuar ulje njëshifrore të lindjeve, por kjo ndodh pasi atje popullsia është në rënie dhe e plakur prej vitesh, çka i bën këto shifra ende shqetësuese në afatgjatë.
Rënia e lindjeve në një vend me rritje ekonomike(siç tregojnë shifrat zyrtare) përbën një përpjesëtim të zhdrejtë mes mirëqenies së deklaruar dhe perceptimit të pasigurisë reale që përjetojnë qytetarët. Bonusi i bebeve – 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin, dhe 120 mijë për të tretin – është parë nga shumë qytetarë si një ndihmë simbolike, që nuk mbulon as një pjesë të vogël të kostove reale të rritjes së një fëmije.
Ekspertët vërejnë se mungesa e politikave afatgjata të mbështetjes për familjet, kostoja e arsimit privat, mungesa e çerdheve dhe çmimet e banesave janë faktorë kyç që po dekurajojnë çiftet të bëhen prindër. Në këtë kontekst, lindjet po bien, emigracioni vijon, dhe Shqipëria përballet me një krizë demografike të heshtur, që mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit.