Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja kanë paralajmëruar Izraelin se do të ndërmarrin “masa konkrete” nëse vazhdon me një zgjerim të mëtejshëm të ofensivës ushtarake në Gaza, të cilën e cilësuan si “të rëndë dhe të papranueshme”.
Kryeministri britanik Keir Starmer, bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin kanadez Mark Carney, i bënë thirrje qeverisë izraelite që të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake dhe të lejojë hyrjen urgjente të ndihmave humanitare në Gaza.
Prej 2 marsit, në territorin palestinez nuk është lejuar hyrja e ushqimeve, karburanteve apo barnave, situatë që Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si “katastrofike për popullatën civile”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se kërkesat e këtyre liderëve përbëjnë një “shpërblim të madh për Hamasin”. Ai shtoi se Izraeli do të lejojë “sasi bazë ushqimesh” të hyjnë në Gaza, por gjithashtu theksoi se synon të marrë “kontrollin e plotë të territorit”.
Britania, Franca dhe Kanadaja e kritikuan këtë deklaratë si “krejtësisht të pamjaftueshme”, duke theksuar se mohimi i ndihmës bazë për popullatën civile bie ndesh me ligjin ndërkombëtar humanitar. Ata dënuan gjithashtu gjuhën kërcënuese të përdorur nga disa zyrtarë izraelitë, që sipas tyre nxit zhvendosjen e përhershme të palestinezëve, një akt që përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
Shefi i ndihmës humanitare në OKB, Tom Fletcher, deklaroi se numri i kamionëve me ndihma që lejohen të hyjnë është vetëm një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat e popullsisë.
Ndërkohë, liderët perëndimorë përsëritën thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm dhe për zgjidhjen me dy shtete, që do të parashikonte një shtet të pavarur palestinez përkrah Izraelit.
Netanyahu e hodhi poshtë këtë qasje, duke e quajtur “një shpërblim për sulmin gjenocidal të 7 tetorit” dhe duke i bërë thirrje udhëheqësve evropianë të ndjekin vizionin e Donald Trump për zgjidhjen e konfliktit.