Mungojnë ndihmat, brenda 48 orëve rrezikohet jeta e 14 mijë foshnjave në Gaza

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.05.2025, 20:12
OKB-ja ka paralajmëruar se brenda 48 orëve të ardhshme rrezikohet jeta e 14 mijë foshnjave në Gaza, për shkak të mungesës ekstreme të ndihmave humanitare. Situata është përkeqësuar pas më shumë se 11 javësh në të cilat Izraeli nuk ka lejuar futjen e ushqimeve bazë, duke e përdorur këtë si presion ndaj Hamasit. Sulmet ajrore dhe operacionet tokësore kanë vazhduar, ndërsa kriza e urisë ka arritur nivele ekstreme.

Kryeministri izraelit Netanyahu ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga luftimet derisa të marrë kontrollin e plotë të Gazës, duke shtuar se ndihmat u ndërprenë pasi, sipas tij, Hamasi po përfitonte prej tyre. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare, duke përfshirë thirrje nga Britania, Franca dhe Kanadaja që Izraeli të ndalojë ofensivën dhe të lejojë më shumë ndihma.

Në përgjigje të krizës, Britania e Madhe ka pezulluar bisedimet tregtare me Izraelin dhe ka thirrur ambasadoren izraelite për të dhënë llogari.

Sipas BBC, duke iu drejtuar deputetëve, David Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar po pezullon negociatat me qeverinë izraelite për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë dhe po thërret ambasadoren izraelite në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely, në Ministrinë e Jashtme.

Ai thotë se ministri Hamish Falconer, do t’i thotë Hotovely-t se “bllokimi 11-javor i ndihmës për Gazën ka qenë mizor dhe i paarsyeshëm”.

"Bota po gjykon. Historia do t'i gjykojë ata", theksoi ai.

"Bllokimi i ndihmës, zgjerimi i kufijve, shpërfillja e shqetësimeve të miqve dhe partnerëve tuaj. Kjo është e paarsyeshme dhe duhet të ndalet", tha ai më tej.

“Do të ndërmarrim veprime të mëtejshme. Tani i them popullit të Izraelit se ne duam një miqësi të fortë me ju, të bazuar në vlera të përbashkëta dhe me lidhje të lulëzuara midis popujve dhe shoqërive tona.

Ne jemi të palëkundur në angazhimin tonë për sigurinë dhe të ardhmen tuaj, për t'iu kundërvënë kërcënimit shumë real nga Irani, plagës së terrorizmit dhe të këqijave të antisemitizmit. Por zhvillimi i luftës në Gaza po dëmton marrëdhënien tonë me qeverinë tuaj”, vijoi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit