Hipertensioni po shfaqet në mënyrë alarmante edhe tek moshat e reja, sipas një studimi të fundit që tregon se rreth 31-35% e personave mbi 18 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë pa qenë të vetëdijshëm dhe pa marrë trajtim. Situata është edhe më shqetësuese për personat mbi 45 vjeç, të cilët shpesh nuk e kontrollojnë fare tensionin e tyre.
Sipas prof. Margarita Gjata, shefe e Shërbimit të Mjekësisë së Brendshme, hipertensioni i pakuruar rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje serioze si ishemia cerebrale, infarkti në zemër dhe dëmtimet kronike të veshkave, të cilat mund të çojnë deri në vdekje.
Për të luftuar këtë problem, ekipi i mjekësisë së brendshme ka ndërmarrë nisma ndërgjegjësuese, sidomos për të rinjtë, duke i këshilluar të ulin stresin, të kenë një regjim të shëndetshëm jetese, të shmangin alkoolin dhe duhanin, dhe të ushqehen mirë.